Lufta e fundit në Kosovë la prapa vetes një mori tmerresh dhe sekretesh të errëta që asnjëherë nuk u zbardhën, duke filluar nga torturat, vrasjet e masakrat e civilëve e deri te përdhunimi i grave shqiptare dhe nëpërkëmbja e nderit dhe moralit të tyre . Ky është sekreti më i errët i luftës së Kosovës, sekret që mban në ankth shpirtëror për 17 vite me radhë, gra e burra të këtij vendi. Për shumë prej grave, ky është një gur i rëndë “turpi”, ndërsa për shumë prej burrave, përdhosje e “krenarisë” mashkullore.

Dhunimi i grave, nënave, nuseve të reja shqiptare nga forcat serbe, ishte forma më e egër dhe tronditëse që preku thellë ndjenjat e popullit shqiptar. Dhunimi (seksual) konsiderohet dhe është vepër penale e cila radhitet si krim kundër njerëzimit.

 

Kjo formë e dhunës nga armiku ynë shekullor serb ka qenë e planifikuar, duke pasur parasysh faktin e një sunduesi tiran i cili dëshmoi antinjerëzoren e tij edhe në luftën e Bosnjës në të cilën u dhunuan dhe persekutuan me qindra e mijëra gra myslimane, të cilat u ç’nderuan në mënyrat më mizore. Përdhunimet të cilat janë bërë gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin karakter poshtërues, politik e hakmarrës, dhe kulmorja ka qenë thyerja dhe poshtërimi i shqiptarit në aspektin moral me tërë brutalitetin ndaj femrës, motrës, gruas, nënës, vajzës etj.

 

Sipas disa statistikave të organizatave të huaja në Kosovë, bëhet e ditur se numri i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë (ashtu si flitet) shkon deri në 20 mijë. Shifrat dyshohen të jenë disa herë më të larta, pasi përdhunime ka pasur thuajse në çdo qytet e fshat. Përdhunime në grup në sy të fëmijëve, baballarëve apo burrave të tyre. U zgjodhën pikërisht ato për t’u bërë kurban i një lufte, ku meshkujt u goditën në pikën e tyre më të dobët.

 

Shumë gra janë ndarë nga burrat, janë stigmatizuar nga familjarët e prindërit. Disave prej tyre nuk iu lejohet të jetojnë në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin, fëmijët dhe familjarët e tjerë. Ato jetojnë në dhoma të ndara, në ahure e nëpër “shupa”. Rasti i fundit që e kemi ndëgjuar është ai i gruas e cila u nxorr jashtë shtëpisë së saj, sot 17 vjet pas luftës, pasiqë vetëm vetëm tani djemtë e saj kishin kuptuar se ajo ishte e dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Djemtë u turpëruan nga rrethi dhe banorët e fshatit që ta mbajnë në shtëpi personin më të dashur të tyre, sepse ajo “nuk e kishte ruajtur nderin dhe moralin familjar”. Njëri prej djemve të saj iu drejtua me fjalët:”Përse nuk iu ke thënë që të vrasin, më mirë”.

 

Shifni se deri ku shkon injoranca!!!

 

“Tek ne po të jesh i plagosur nga plumbi je hero dhe krenohesh, mirëpo po të jesh e dhunuar, është poshtërim dhe duhet ta mbash kokën ulur”, ka thënë njëra nga këto gra, duke vajtuar jetën e saj dhe të familjes që po e kalojnë në mjerim e skamje.

 

Nga kjo i bie që personi i cili është qëlluar me plumb të armikut dhe është plagosur apo ka ndërruar jetë, të shpallet tradhëtar i kombit e jo dëshmor. Kjo, po që është jashtë çdo logjike njerëzore.  

 

Në qoftë se konsiderohet viktimë dikush që është plagosur, atëherë edhe ajo që është dhunuar është e tillë. Kjo është e përcaktuar edhe me konventa ndërkombëtare.

 

Shumë prej këtyre grave, në këtë gjendje të rëndë psikologjike, kanë tentuar vetëvrasjen disa herë, e shumë prej tyre kanë kërkuar dhe preferuar vdekjen gjatë dhunimit.

 

Këto gra, motra e nëna tonat kanë mbetur plotësisht në margjina të shoqërisë, dhe nuk kanë asnjë përkujdesje “përpos iniciativave të shoqërisë civile”.

 

Tani, shtrohet pyetja:  Sa kemi bërë Ne në këtë drejtim për ta lehtësuar gjendjen në të cilën vajzat, motrat, gratë dhe nënat tona kanë kaluar?.

 

Mund të themi se shumë pak ose asgjë, ngase janë publikuar rrëfime të ndryshme, natyrisht pa të dhëna konkrete të rasteve, por marrë në përgjithësi të gjitha këto hulumtime janë bërë nga organizata dhe shoqata të huaja.

 

Vlen për tu përmendur, se këto gra që ishin pre e torturave barbare të bishave të Serbisë asnjëherë nuk u përulën para armikut. Gruaja shqiptare ka ditur të dëshmojë edhe në të kaluarën, sic di ta dëshmojë edhe sot. Ajo mbetet e pathyeshme edhe pse në trupin e saj mban gjurmë të tmerrit nga më të ndryshmet. Atë e mban shpresa se Zoti do t’i shpërblejë për këtë persekutim fizik e shpirtëror të cilin e kanë përjetuar. Besimi në Zotin Një, dëshmohej në çdo frymëmarrje nga këto gra, ndonëse nuk mund ta fshehin se edhe pse janë torturuar, ato do të kenë shpërblimin nga i Lartëmadhëruari që sakrifikuan për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e tyre. Thotë Allahu xh.sh: 

 

و من يكرههن فان الله من بعد اكراههن غفور رحيم

 

“…E kush i detyron me dhunë të bëjnë atë, Allahu i falë ato pas atij detyrimi. Allahu falë dhe është Mëshirues.” En-Nur:33.

 

Vëllezër të nderuar!

 

Ne si shoqëri duhet të vetëdijësohemi dhe të vlerësojmë  fatkeqësinë e grave të dhunuara gjatë luftës, duke ditur se, përveç se janë dhunuar, ato janë ritraumatizuar nga opinioni kosovar dhe nga mentaliteti i shoqërisë, për faktin që shoqëria i ka stigmatizuar, dhe shumë prej tyre kanë mbetur madje edhe pa mbështetje të familjes. 

 

Prandaj, nga ky minber, Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës u bëjmë thirrje dhe apelojmë te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të vetëdijësohemi dhe ndërgjegjësohemi për detyrat dhe obligimet që kemi ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për rikthimin e tyre në binarët e jetës normale. Asnjëherë s’duhet harruar se ndjenjat e femrës janë më të buta dhe ajo shpesh është e pafuqishme në përballje me sfidën, dhe në këtë rast vazhdimisht duhet t’i ndihmojmë ato gra që për shkak të dhunimit kanë mbetur larg ëndrrës për tu bërë nënë, të përpiqemi t’i ndihmojmë ato gra të harrojnë ato plagë të dhunimit që i janë bërë në praninë e familjarëve, qofshin ata prindër apo fëmijë të tyre. Nderi është dhuratë nga Zoti, e ky nder iu është marrë atyre në mënyrën më mizore. Kurse ne, për t’ia kthyer nderin, duhet t’i nderojmë dhe respektojmë ato.

 

Është e vërtetë se rruga drejt lirisë kalon nëpër një mori vuajtjesh e mundimesh të gjata. Mundin e tyre ta konsiderojmë si pjesë përbërëse të çdo veprimtarie tonën duke i mundësuar edhe kësaj shtrese të shoqërisë që të rikthehen në jetën normale dhe të integrohen në jetën e rëndomtë pa brenga të së kaluarës. Të mundohemi që kësaj shtrese t’i bëjmë një trajtim më të mire, që të harrojnë plagët e dhunimit që mbajnë thellë në gjoksat e tyre, në mënyrë që të tejkalojnë me lehtësi thyerjen shpirtërore të cilën e kanë përjetuar në këtë luftë të fundit.

 

Prishtinë, 07.11.2016

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

UNIFIKIMI I FJALËVE DHE RADHËVE NË KOHË KRIZASH

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. T…