Prishtinë, 17 maj 2019

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të muajit të bekuar të Ramazanit, ekipi i ligjëruesve, të organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot qëndruan në disa komuna të Kosovës për të ligjëruar hytben e xhumasë.

Në Xhaminë Qendrore të Shtimes, për të ligjëruar hytben e xhumasë, qe i pranishëm dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Fahrush ef. Rexhepi, i cili para xhematit ligjëroi temën: “Ramazani, muaji i vlerave shumëdimensionale.”

Në fillim të ligjërimit të tij, dekani Rexhepi, potencoi se Ramazani ka një rëndësi të madhe, ngase është koha dhe momenti më i mirë që ne të mobilizohemi dhe të përkushtohemi në ibadet dhe adhurim Allahut, për ta realizuar dëshirën dhe synimin tonë. E dëshira dhe synimi ynë mbetet arritja e kënaqësive, mirësive dhe begative të Allahut.

“Muaji i Ramazanit konsiderohet edhe muaj i Kuranit, ngase në të filloi edhe zbritja e mëshirës hyjnore, në këtë muaj u vendosën lidhjet e qiellit me tokën. Ky muaj konsiderohet muaj i garave madhështore për botën islame. Për këtë Allahu në Kuran ka thënë: “Garoni mes vete në punë dhe vepra të mira për të arritur faljen dhe mëshirën e Allahut dhe për të arritur kënaqësitë e xhenetit.” Nga ne kërkohet që gjatë këtij muaji të shtojmë edhe më leximin e Kuranit, sepse vetë Pejgamberi a.s. përmes Kuranit mposhti idhujtarinë, mposhti imoralitetin, urrejtjen, gjakderdhjen, duke promovuar kështu vlerat e paqes, drejtësisë, tolerancës, sigurisë, pa dallim për të gjitha komunitetet”, tha ndër tjerash dekani Rexhepi.

Duke folur për vlerat e tjera të muajit të Ramazanit, dekani Rexhepi përmendi karakteristikën kryesore të Ramazanit e që është agjërimi: “…agjërimi konsiston në një nga ibadetet me të rëndësishme islame, me të ne arrijmë shkallën më të lartë të devotshmërisë. Përmes agjërimit ne arrijmë më lehtë deri te rruga e xhenetit. Nga shtyllat bazë të Islamit gjithashtu është edhe namazi, pa të cilin nuk do të mund të imagjinohej feja islame, andaj në këtë muaj të begatë, duhet të jemi prej atyre që e shtojmë namazin nafile, namazin vullnetar, namazin e teravive.”

“Ramazani duhet të na orientojë në pajtim, në unitet me të tjerët, përpos lidhjes vertikale që e kemi me Zotin, gjatë këtij muaji duhet t’i lidhim raportet tona edhe me njerëzit. Nuk duhet të na gjejë Ramazani të përçarë e të ndarë, nuk guxojmë ta presim festën e Bajramit duke qenë të hidhëruar me familjarët tanë.”

Një prej vlerave shumëdimensionale, të cilës i kushtoi kujdes të veçantë dekani Rexhepi ishte edhe solidariteti në këtë muaj. “Ramazani është muaj i solidaritetit, muaj i ndihmës së të tjerëve, muaj i sadakasë, zeqatit, vitrave, andaj kërkoj nga ju që këto ndihma përveçse në rastet e rënda sociale që ju i njihni, t’i adresoni ato në institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, përkatësisht për Medresenë “Alaudin” dhe për Fakultetin e Studimeve Islame. Bashkësia Islame është i vetmi institucion i cili përkujdeset për to, e kjo arrihet vetëm falë ndihmës dhe kontributit tuaj, me dekada e shekuj me radhë. Ne ju jemi mirënjohës për punën dhe kontributin e gjyshërve dhe baballarëve tuaj që mbajtën gjallë institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, për të cilët lusim Zotin që t’i shpërblejë me të mirat e tij të panumërta.”

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava po merr pjesë në sesionin e 23-të të Bordit të Lartë të Akademisë së Jurisprudencës Islame

Prishtinë, më 20 prill 2024 Në Riad të Arabisë Saudite, ka filluar punimet sesioni i 23-të…