(Përgjigje në shkrimin e Baton Haxhiut “Entuziazmi i vdekur” , botuar në të përditshmen Express të datës 21 gusht 2008).

Me vëmendje lexova shkrimin e Baton Haxhiut “Entuziazmi i vdekur”, të botuar në të përditshmen Express të datës 21 gusht 2008, në të cilin polemizon me  një intervistë timen, të botuar në të njëjtën gazetë më 17 gusht 2008. Me këtë rast vlen të theksoj se intervista në fjalë u realizua me insistimin e vazhdueshëm të dy  gazetarëve të gazetës Experess, në të cilën bëhet fjalë kryesisht  për qëndrimin e vendeve  islamike rreth çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pas një  rileximi të kujdesshëm të intervistës, vërejta se ajo ishte marrë vetëm pretekst,  sepse shkrimi i Baton Haxhiut kishte të bënte me një artikull timin të botuar në të përditshmen “Zëri” më 11 gusht 2008 nën titullin “Ku mund të në  çojnë konvertimet?!”

 I  njëjti artikull është botuar në  gazetën Express  më 14 gusht 2008, me  siguri me  qëllim që t’u jepet  mundësia  të interesuarve që t’i  shprehin mendimet e tyre në faqet e saj. Këtë e vërteton fakti,  se reagimi i  parë ndaj artikullit  në fjalë u botua, ditën e nesërme,  më 15 gusht 2008, me titull: “Përse na pengojnë konvertimet?” Andaj, nuk mund ta kuptoj  përse z. Baton Haxhiu  ngatërron  dy temat me përmbajtje të ndryshme?!

Batoni Haxhiu, edhepse  kërkon nga ne dhe Bashkësia Islame që  të jemi më liberalë më tolerantë ndaj të tjerëve, për fat të keq stili dhe metoda e të shprehurit të tij janë tipike të regjimit të kaluar monist. Ai e fillon artikullin e tij,  me plotë mllef, përbuzje e urrejtje ndaj islamit, si fe dhe besim i shumicës së shqiptarëve..

 Batoni  e  vë në shënjestër  thirrjen e ezanit, që nuk ka qenë aspak temë debati e  intervistës, si njërin prej ritualeve të islamit, të cilin e quan “masakër zërimi”, sepse  po i zgjuaka fëmijët nga gjumi. Ne plotësisht pajtohemi se rritja e  tepërt e zërit të altoparlantëve është e papranueshme dhe Bashkësia Islame vazhdimisht ua  tërheq vërejtjen imamëve për këtë. Mirëpo, përshkrimi i një rituali fetar si “hajmali myslimanizmi për dominim në jetën ditore të njeriut kosovar”, si dhe përshkrimet tjera të ulëta e denigruese që i bëhen islamit, janë jo vetëm  të papranueshme, por edhe ofenduese, jo vetëm për besimtarët, por edhe për çdo kënd që duhet të ketë sado pak respekt ndaj ndjenjave fetare të kujtdo qoftë. Një veprim dhe sjellje e  këtillë nuk të  bënë nder ty  si gazetar dhe gazetës tënde. Lidhur me këtë çështje mund të them, se thirrja e ezanit nga minaret, ushtima e  kambanave nga kishat tek të krishterët dhe ushtima e burive nga sinagogat  tek çifutët  ekziston me shekuj në të gjitha vendet e botës dhe ky ritual fetar  do të vazhdojë edhe më tutje, derisa të ekzistojnë besimtarët e këtyre feve. Unë, personalisht jetoj jo shumë  larg  Manastirit të  Graçanicës, por asnjë herë nuk më  ka penguar ushtima e kambanës dhe  nuk më ka shkuar mendja t’ia tërheq vërejtjen peshkopit Artemie për shkak të zhurmës së saj.

Sa i përket konstatimeve të mia për shkaqet e mosnjohjes së   pavarësisë së Kosovës nga vendet islamike, është krejt normale që ti z. Baton të mos pajtohesh me mua. Këtu nuk ka asgjë të keqe, qoftë kjo për shkaqe të bindjeve tona  të ndryshme personale apo profesionale. Unë nuk di sa  ti ke qasje në  atë botë dhe sa din për të. Por, unë kam kaluar në botën arabe  mbi 20 vite, qoftë në studime universitare, pasuniversitare apo në marrëdhënie pune. Vazhdimisht marrë pjesë  në  konferenca shkencore. Mirëpo, atë që ti nuk ke pasur të drejtë ta bësh, sepse me  të  obligon kodeksi gazetaresk, të më ofendosh mua për shkak të pikëpamjeve të mia si dhe institucionin e Bashkësisë Islame, së paku nëse e llogarit veten  në mesin e 95%  që i takojnë besimit islam. Por, kjo le të mbetet në ndërgjegjen,  edukatën dhe  karakterin tënd.

Unë kam thënë atë çka mendoj se është e drejtë dhe korrekte, pa kurrfarë kamuflimi, për mos t’ia bërë qejfin askujt, se një pjesë të përgjegjësisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës  bie edhe mbi institucionet tona politike dhe shtetërore. Për  arsye se liderët kosovarë asnjë herë nuk kanë treguar  interesim ndaj shteteve myslimane. Këtë  e vërteton edhe deklarata e emisarit amerikan pranë Organizatës së  Konferencës Islamike, Sada Cumber i cili thotë: “Që nga viti 1990, përveç ndonjë vizite  në Turqi, liderët kosovarë nuk kanë qenë të interesuar të krijojnë kontakte me shtetet me popullatë myslimane. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare nuk kanë bërë asnjë vizitë zyrtare në shtetet myslimane në Azi dhe në Afrikë, përveç një pjesëmarrje në Konferencën e Shteteve Islamike që është mbajtur para disa muajsh në Senegal, ku ka qenë i pranishëm ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.”

Ky injorim ka vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sot ne kemi nevojë për ndihmën dhe votat e atyre vendeve e jo ato për ne, andaj duhet të kemi kujdes ndaj atyre vendeve.  Kurse sa i përket propagandës serbe rreth transversales së gjelbër, në vitet e nëntëdhjeta me anë të së cilës ti mundohesh ta arsyetosh mungesën e kontakteve, është arsyetim i pa vend dhe i pa qëndrueshëm. Sepse kjo propagandë ishte prezentë edhe gjatë bombardimeve të NATO-së në vitin 1999. Në atë kohë, ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Drashkoviq  u bënte apel Perëndimit: “Ne jemi të krishterë, ju jeni të krishterë apo e dini  kënd po e bombardon?! Po i bombardoni vëllezërit e ju të krishterët e po i merrni në mbrojtje bijtë e Ben Ladenit?!”. Megjithatë, atij askush nuk ia vente veshin, sepse Perëndimi ishte ngopur me gënjeshtrat dhe intrigat e serbëve. Të njëjtën retorikë peshkopi Artemie përdor edhe sot  e kësaj dite, por atij më nuk i beson askush.

Ndërtimi i lidhjeve dhe urave të bashkëpunimit midis popujve dhe shteteve nuk mund të bëhet brenda dite, apo atëherë kur ne kemi nevojë. Kjo duhet të jetë një strategji e jona afatgjate, të cilën establishmenti ynë politik nuk e ka pasur në program as në të kaluarën, por për fat të keq nuk e ka edhe sot, jo vetëm kur është fjala me botën arabe e islame, por edhe me vendet tjera.

 Bashkësia Islame ka qenë hallka e vetme, që ka mbajtur lidhje me këtë botë dhe ajo ka bërë punën e saj brenda kornizave  dhe mundësive të saj. Por, ajo nuk është institucion shtetëror. Andaj, ajo nuk merr përsipër dështimin apo suksesin e punëve, të cilat duhet t’i kryejë qeveria dhe institucionet e saja. Por, askush nuk mund të na pengojë që ne të shprehim  keqardhjen tonë  për shkak të një gjendje të këtillë, në të cilën gjendemi. Unë përveç faktorëve tjerë kam përmendur edhe interesat nacionale të këtyre vendeve, kundruall çështjes së Kosovës, për çka edhe duhet të kemi mirëkuptim.

Z. Baton, ti  e dinë se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk është problem vetëm i vendeve arabe dhe  islame. Kosovën nuk po e njohin edhe shume vende tjera, me të cilat kemi pasur lidhje dhe marrëdhënie shumë të ngushta  dhe liderët tanë e kishin si kible të tyre. Por, megjithatë për shkak të interesave të tyre nacionale apo shtetërore ato kanë deklaruar se për një kohë nuk do të kemi mundësi ta njohim pavarësinë e Kosovës. Por, megjithatë, ky realitet  kalohet në heshtje, pa u  përmend  nga askush e as nga  z. Baton Haxhiu.

Baton Haxhiu, ndaj asaj bote flet me një gjuhë përbuzëse duke shprehur fjalë denigruese dhe shprehje raciste duke nënçmuar rolin dhe rëndësinë e saj në rrjedhat a tanishme, siç ishte artikulli me titull: “Shoqëria civile arabe”, (Express, 15 gusht 2008).

Identiteti ynë i përbashkët mund të jetë një faktor lehtësues, i cili mund të na  afrojë me atë botë, por kjo nuk do të thotë se tash ne duhet të rrimë duarkryq pa lëvizur fare. Është obligimi i yni të hulumtojmë të gjitha mënyrat dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë lidhje të mira jo vetëm me ato vende, por edhe me të gjitha vendet tjera të botës. Sepse ky është interesi ynë kombëtar, këtë e kërkon momenti nëse ne dëshirojmë të krijojmë një shtet të njohur ndërkombëtarisht dhe të anëtarësohet sa më shpejt në  OKB dhe instuticionet tjera ndërkombëtare. Interesat nacionale të çdo shteti kanë prioritet ndaj çdo çështje të jashtme  të ndonjë vendi. Por, nëse ne nuk bëjmë përpjekjet tjera, atëherë ne po ua lëmë duart e lira  shtetit serb dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq të veprojë në atë pjesë të botës.

Kurse, sa i përket pyetjes tjetër, të cilën ti Baton ia shtron vetvetes me qëllim që të më provokosh mua, dua të them, se nëse siç thua  në fillim të artikullit tënd, se ti polemizon me mua  për intervistën, unë nuk kam mundur apriori  të përgjigjem në një pyetje që nuk më është bërë nga ana e gazetarëve tu?! Andaj, çdo  konstatim i yti lidhur me temën  në  fjalë është thjesht  paragjykim, pjellë dhe imagjinatë e  jote që nuk ka të bëjë asgjë me konstatimet dhe mendimet e mia lidhur me këtë temë.  Ti nuk ke të drejtë të më apostrofosh dhe të më gjykosh  mua për një çështje për të cilën unë nuk jam prononcua. Një veprim të këtillë  deri më tash nuk e ka bërë askush përveç teje!

Se Bashkësia Islame “edukon dhe prodhon individë të nënshtruar të paaftë për të jetuar në një shoqëri të lirë dhe të hapur”, edhe kjo mund të jetë imagjinatë e jote, z. Baton. Ku po jetuakan, athua sipas teje  mbi 95%   të kosovarëve ?! Por, kjo nuk më habit mua. Sepse, si duket ty, të pengon çdo çështje që ka të bëjë me islamin, ashtu siç të pengojnë edhe shumë gjëra tjera. Por, lidhur me konstatimet e këtilla, lypset të jesh më i matur dhe më i saktë. Ti për të mësuar më tepër, se çka bënë dhe si vepron Bashkësia Islame, duhet të jesh më i familjazuar me të, jo për t’iu bindur parimeve dhe mësimeve të saja, por për hir  që konstatimet tua të jenë më të sakta dhe më objektive.. Duhet të frekuentosh  xhamitë, medresetë, fakultetin dhe të marrësh pjesë në ligjërata e vetëm atëherë konstatimet tua mund të jenë reale dhe objektive. Ky zaten është parimi dhe qëllimi i çdo gazetari, që dëshiron të jetë i respektuar në vendin ku ai jeton dhe vepron! Kosova, para s egjidash ka nevojë  për  gazetar dhe  gazetari objektive!

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …