“Kosova – rrezaton gërshetimin e kulturave në mes Lindjes dhe Perëndimit”

Kohë më parë në Bejrut doli nga shtypi libri më i ri i Dr. Muhamed Mufakut, me origjinë nga Kosova, i cili është profesor i Historisë Bashkëkohore në Universitetin “Al-al-Bajt” të Jordanit me titull “Kosova- rrezaton gërshetimin e kulturave në mes Lindjes dhe Perëndimit”. Paraqitja e këtij libri në këtë kohë, është një kontribut i ri i autorit për t’i shpjeguar opinionit të gjerë arab për lidhjet kulturore dhe shpirtërore të vazhdueshme që kanë ekzistuar në mes popullit shqiptar dhe popujve arab, fal kontakteve që patën këta dy popuj gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.  Autori, në parathënien e librit thotë se emri i Kosovës nuk ishte i panjohur për banorët e Shamit (përfshinte Sirinë, Jordanin, Libanin dhe Palestinën). Sepse ishin krijuar lidhje dhe kontakte direkte fizike dhe kulturore.

Në mbarim të shekullit nëntëmbëdhjetë, Vaso Pashë Shkodrani ishte vali i Libanit, kurse Sati al-Husari gjatë viteve 1904-1908 ishte kaimekam në njërën prej kazave të Kosovës. Ndërkohë që parlamentarët shqiptarë dhe ata arab bashkëpunonin ngushtë për t’iu kundërvënë aspiratave nacionaliste të turqve të rinj.
Në vjeshtën e vitit 1912, shtet aleate të Ballkanit (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia) shpallën luftë Perandorisë Osmane, e cila shumë shpejt u kthye nga një luftë “çlirimtare” në luftë të “spastrimit fetar dhe etnik”, ku u dogjën fshatra me themel, u bënë masakra kolektive, thënë thjesht u bë gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës dhe trojeve tjera etnike.
Kështu, autori citon gazetën “Al-Mukatbas” të Damaskut, e cila më 7 tetor të vitit 1912, në ballinën e saj boton një artikull me titullin: “Thirrje prej Kosovës”, i cili bënte fjalë për një letër nga populli i Kosovës drejtuar popullit të Shamit, në të cilën shpjegojnë gjendjen e vështirë dhe kërkojnë ndihmën dhe solidaritetin e tyre. Në të njëjtën numër hasim përgjigjen e guvernatorit të Damaskut, Muhamed Ataut, ku thotë: “Sirianët nuk do të kursejnë pikën e fundit të gjakut për të luftuar krah për krah me vëllezërit e tyre shqiptar.”
Me okupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe Malit të Zi, emri i Kosovës si duket për një kohë pushoi së dëgjuari. Ishte gazetari dhe shkrimtari i njohur libanez, Shekib Arsllani, që kontribuoi që zëri i saj i ndrydhur dhe vuajtjet e popullit shqiptar të dëgjohen në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në të njëjtën kohë, karvani i të shpërngulurve shqiptarë, nga terrori dhe persekutimet serbe kishte arritur edhe në Shamin e largët. Në mesin e të shpërngulurve ishte edhe familja e autorit të librit. Këta shqiptarë të shpërngulur, në botën arabe më vonë, do të njihen, me emrin Arnaut dhe do të shquhen në lëmenj të ndryshëm të jetës politike, administrative, ushtarake dhe kulturore të Shamit dhe më gjerë.

Libri në fjalë, ashtu siç pohon edhe autori, është përmbledhje e studimeve dhe shkrimeve të botuara në një periudhë kohore prej tridhjetë vjetëve (1978 – 2008) në gazeta dhe revistat arabe, për të zbuluar disa aspekte të lidhjeve kulturore në mes dy popujve që kanë një rëndësi të veçantë.
Libri fillon me studimin e vakufnameve më të vjetra në gjuhën arabe të ruajtura në Kosovë, e cila ishte temë disertacioni e orientalistit të njohur shqiptar Dr. Hasan Kaleshit, por që kjo temë ka nevojë në kohën tanë për studime edhe më të thella për shkak të rëndësisë së madhe që pati institucioni i vakëfit në jetën tonë fetare dhe shoqërore.
 Vijon tema e dorëshkrimeve arabe në Kosovë, e cila për fat të keq, deri më tash nuk ka pasur trajtimin e duhur, nga institucionet tona hulumtuese sa i përket tubimit, klasifikimit dhe katalokizimit të tyre, që ato të jenë në shërbim të hulumtuesve dhe studiuesve shqiptarë dhe arabë. Edhepse llogaritet se në Kosovë, megjithë djegien dhe asgjësimin e dorëshkrimeve orientale nga forcat e agresionit serb, në veçanti në luftën e fundit, numri i tyre mund të arrijë mbi tre mijë, që për një vend si Kosova është një thesar i madh kulturor.
Një vështrim i veçantë, për lexuesin arab paraqet trajtimi i temës së tarikateve në Kosovë, në aspektin fetar dhe kulturor. Autori i bënë një studim tarikatit Kadiri, që mund të shërbejë si shembull për studimin edhe të tarikateve tjera mistike në Kosovë.
Në vijim bëhet fjalë për disa autorë shqiptarë që shkruan në gjuhën arabe. Me këtë rast, autori përmend dy autorë: Mehmet Tahir efendiun, (vdiq më 1883 dhe poezinë e tij Kronikën e Prizrenit. Autori tjetër është Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi (1869-1929), i cili gjatë viteve (1901-1905), studioi në Universitetin e njohur të Al-az harit në Kajro.
 Në vazhdim kemi dy artikuj që trajtojnë letërsinë shqipe me alfabet arab, traditë e cila vazhdoi për një periudhë kohore prej disa shekujve. Kurse një artikull i veçantë ka të bëjë me ndikimet ndërgjuhësore në mes arabishtes dhe shqipes si dhe depërtimit të fjalëve orientale në gjuhën shqipe.
Libri bënë fjalë edhe për fillimin dhe rriten e orientalizmit në Kosovë. Meritë e veçantë për këtë, sipas autorit i takon Dr. Hasan Kaleshit, i cili konsiderohet doajen i orientalizmit në Kosovë. Pastaj flet për përpjekjet për njohjen e letërsisë arabe, studimin dhe përkthimin i saj në gjuhën shqipe, si dhe përkthimet e letërsisë shqipe në gjuhën arabe. Shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhën arabe është Ismail Kadare me mbi dhjetë romane.
Duke u mbështetur në këto lidhje aq të forta kulturore dhe letrare, thotë autori, nuk është për t’u habitur paraqitja e “motiveve algjeriane dhe palestineze” në poezinë bashkëkohore kosovare, në veçanti në gjysmën e dytë të shekullit njëzetë.
Me botimin e këtij libri, të Dr. Muhamed Mufakut, Kosova do të jetë më afër tek lexuesi arab, për shkak të këtyre lidhjeve të fuqishme kulturore dhe letrare. Kosova, edhepse gjeografikisht është pjesë e pandarë e Perëndimit, kjo nuk ishte pengesë që ajo të mbajë lidhje të veçanta me Lindjen. Këto lidhje vazhdimisht, rezatuan gërshetimin e mirëkuptimit dhe tolerancës në mes Lindjes dhe Perëndimit. Shpresojmë se ky libër do të hap horizonte të reja për studime më të thella dhe më të detajuara nga studiues dhe hulumtues të rinj, nga ana e të dy popujve, në veçanti tash kur Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …